Vendimi


Bashkia rrit çmimin për të evituar ndërtimet vend e pa vend dhe pa kriter


ndertimet e rejaSipas paketës së re fiskale, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja do të jetë më e shtrenjtë. Kjo për të evituar ndërtimet vend e pa vend, pa kriter, në pothuajse çdo cep të Tiranës. “Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet ose vlera në lekë e çmimit të shitjes për metër katror të investimit të ri. Klasifikimi si investim i ri përcaktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien e lejes së ndërtimit. Në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve në udhëzimin e Këshillit të Ministrave”, sqarohet në relacionin e paketës fiskale, të miratuar më datë 30 dhjetor të vitit 2015. Sipas saj, në rastin e ndërtimeve të ndryshme, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe për Bashkinë e Tiranës është 2 deri 4 për qind e saj. Sipas saj, për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja është 0,1 për qind e vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit, ndërsa për ndërtesat, në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit.