Çdo ndërtim pa leje apo tejkalim i saj do të ndëshkohet me gjobë, kallëzim penal dhe prishje të menjëhershme.
Ky ishte mesazhi i dhënë nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila mes të tjerash theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se do të ndëshkohen edhe zyrtarët që nuk përmbushin detyrën dhe lejojnë abuzuesit me territorin të ndërtojnë në kapërcim të lejes së dhënë.
Koçiu lajmëroi se operacioni për vendosjen e ligjshmërisë mbi territor do të shtrihet në të gjithë vendin dhe konsiderohet si një angazhim kombëtar.
“Kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen edhe me mos përmbushje të detyrës nga ana e punonjësve publikë. Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban, kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj, masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie. Dua të theksoj qartë: ligji është i barabartë për të gjithë dhe zbatimi i tij është një garanci për zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm.”– tha ajo. / Top Channel


