Vijon puna e Strukturave të Policisë së Shtetit për të goditur fenomenin e ndërtimit të objekteve pa leje, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara. Burimet zyrtare bëjnë me dije se edhe gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, në fushën e ndërtimeve të paligjshme, janë evidentuar 52 raste dhe autorët janë proceduar.
6 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, 45 autorë ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 1 autor është shpallur në kërkim. Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve , gjatë kësaj jave në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste me 7 autorë të cilët ndiqen në gjendje të lirë.
Ndërsa në fushën e organizimit të lotarie të palejuara , Policia e Shtetit ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, nga këta 4 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 makineri të lojërave të fatit e aksesorë të tjerë që shërbejnë për këtë qëllim. Edhe në javët në vazhdim , Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së pa ligjshme.
6 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)