Përveç zënies së hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka kritikuar kryebashkikaun e Vlorës Ermal Dredhës edhe për ndërtimet në bregdet.
Rama tha se kanë ndodhur abuzime me ndërtimet, por edhe më gërryerjen e bregut të lumit. Kryeministri iu drejtua Dredhës duke i thënë se nuk është e mundur që të mos ketë informacione për këto abuzime.
“Në majën e Pilurit, që duhet zemër të ngjitesh, atje e gjetën njërin duke ndërtuar. Poshtë në breg ku ndërtohen resortet, merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti sikur është lumi i Lanës.
Nuk kemi 4000 metra bregdet që të kemi luksin që të ndërtohet dhe të abuzohet më shumë se në të shkuarën. Nëse angazhojmë arkitektët më të mirë dhe angazhojmë strukturat më të mira në çdo bashki, mund të bëhet një punë shumë e mirë.
Ishte atje ndërtesa 500 metra në shkëmb, mbi kokën e Ermal Dredhës, kjo nuk është e mundur të mos ketë informacion. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti mbi lejen e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të policisë, të bashkisë. Nëse një kryetar bashkie do të dijë se çfarë ndërtohet, e mëson menjëherë.”- tha Rama.