Katër punonjës të Komisariatit të Policisë Himarë janë pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas zbulimit të një objekti 5-katësh të ndërtuar pa leje në Qeparo.
Sipas Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për nënkomisar Ferit Merkaj, komisar Emiljano Prenga, nënkomisar Klodjan Petani dhe inspektor Redin Çaushaj. Ndaj tyre do të nisë një hetim disiplinor për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me rastin.
Objekti, i ndodhur në zonën e quajtur “Sugë”, dyshohet se ka nisur të ndërtohet që në dhjetor të vitit 2025. Ndërtimi përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.
Në kuadër të hetimeve, pronari i objektit, shtetasi L. B., banues në Laç, është arrestuar. Ndërkohë, tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë janë shpallur në kërkim, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake të kryera nga strukturat e Policisë rezulton se gjatë periudhës kur objekti ishte në ndërtim, Komisariati i Himarës nuk kishte ndërmarrë masa për ndalimin e punimeve apo për ndjekjen ligjore të rastit.
Policia e Shtetit deklaron se hetimi do të vijojë për të dokumentuar përgjegjësitë e secilit prej punonjësve dhe se do të merren masa ndaj çdo efektivi që rezulton se ka shkelur ligjin apo ka abuzuar me detyrën.
