Katër punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas konstatimit të një ndërtimi pa leje në Qeparo të Himarës.
Vendimi është marrë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërsa ndaj katër efektivëve ka nisur edhe hetimi disiplinor.
Të pezulluarit janë:
Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Himarës, aktualisht me të njëjtën detyrë në Komisariatin e Divjakës;
Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Vlorës;
Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Policisë Himarë.
Masa është marrë pasi në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo, u konstatua një objekt i ndërtuar pa leje, me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.
Për ndërtimin është arrestuar ditën e djeshme shtetasi L. B., banues në Laç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim tre punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe dy inspektorë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ndërtimi kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025, ndërsa sipas Policisë, nga ana e Komisariatit të Himarës nuk ishin marrë masat e nevojshme për parandalimin e tij dhe ndjekjen ligjore të personit që po kryente punimet.
Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë goditjen e rasteve të abuzimit dhe moskryerjes së detyrës, duke paralajmëruar masa ndaj çdo punonjësi që shkel ligjin apo cenon besimin e qytetarëve.
