Biznesmeni Sino Llanaj, godina e të cilit u bllokua sot në Yzberisht për ndërtim pa leje, nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai është përfshirë ndër vite në disa ngjarje të rënda penale. Në vitin 2024 u arrestua në autostradën Fier–Vlorë pasi policia i gjeti një armë zjarri të fshehur në kroskotin e automjetit, gjatë kontrolleve për vrasjen e Gëzim Sinomatit.

Më herët, në janar të vitit 2021, Llanaj u konfliktua me armë me ortakun e tij të kompanisë “Star Construksion”, Albert Allmuça, për ndarjen e një pallati me 2, 9 dhe 11 kate. Nga përplasja mbetën të plagosur vetë Llanaj, një kalimtar dhe roja e objektit.

Pasojat e këtij konflikti prekën edhe 120 familje të kompleksit të ndërtuar prej tyre, të cilët protestuan për vite të tëra pasi nuk arritën të hyjnë në banesat e tyre. Edhe në vitin 2022, emri i Llanajt u përmend në një tjetër incident, kur makinës së vëllait të tij iu vu zjarr qëllimisht në garazhin e pallatit të familjes, duke shkaktuar dëme në disa automjete. Gjithashtu ai ka qenë i hetuar edhe për mashtrime me shitjen e apartamenteve, duke lënë pas një sërë çështjesh të hapura me drejtësinë.