Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Skoci, pasi ngritën një fabrikë të madhe kanabisi brenda një qendre tregtare të braktisur në Irvine. Elton Skënderi, 30 vjeç, Gjovalin Toma, 31 vjeç dhe Eduard Daja, 39 vjeç, pranuan akuzat pas sekuestrimit të mijëra bimëve narkotike nga policia në shtator 2024.

Sipas BBC, Gjykata e Lartë në Glasgow i dënoi Skënderin me pesë vjet e tre muaj burg, Toman me gjashtë vjet, ndërsa Daja mori gjashtë vjet e nëntë muaj. Vlera e drogës së sekuestruar u vlerësua mes 611,600 dhe 1,834,800 paundësh.

Operacioni nisi pas një sinjalizimi nga kompania energjetike Scottish Power. Policia hyri me forcë në ndërtesë dhe zbuloi një plantacion të madh në dy kate të qendrës tregtare. Strukturat e kultivimit ishin të përsëritura edhe në njësitë ngjitur, ndërsa hyrja ishte e blinduar dhe e mbikëqyrur nga kamera sigurie. Në total u sekuestruan mbi 3,000 bimë.

Hetuesit zbuluan gjithashtu një hapësirë të përshtatur për banim brenda qendrës, që përfshinte një dhomë gjumi, kuzhinë të improvizuar, ngrohës elektrik dhe mobilie. Skënderi dhe Toma u arrestuan në vendngjarje, pasi tentuan të largoheshin, ndërsa Daja u kap një ditë më vonë duke dalë nga një dalje emergjence. Gjurmët e gishtërinjve dhe provat mjeko-ligjore i lidhën dy prej tyre drejtpërdrejt me plantacionin.

Hetimet zbuluan se Daja kishte qenë dënuar më parë për kultivim kanabisi në Leeds në vitin 2023, ku u dëbua në Shqipëri, por u rikthye sërish ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe Toma kishte një histori të ngjashme: në vitin 2022 u dënua me 14 muaj burg në Leeds për të njëjtën vepër dhe më pas u urdhërua të kthehej në Shqipëri. Skënderi gjithashtu kishte hyrë ilegalisht në Britani.