Nga muaji tetor kanë hyrë në fuqi disa rregulla të reja, që sipas qeverisë do të frenojnë abuzimet në terren nga ndërtuesit dhe individët që abuzojnë në territor.

Në thelb parashikohet një ashpërsim i masave ndëshkuese, nëse tejkalohet leja e ndërtimit, nëse ndryshohet destinacioni, nëse ka punime të padeklaruara.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se nuk është në dijeni të këtyre ndryshime që kanë hyrë në fuqi me akt normativ, pasi qeveria nuk e ka konsultuar. Mbi të gjitha rregullat e reja bien ndesh dhe me ligjet në fuqi.

Arben Dervishaj, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, gjatë një interviste në “E-ZONE” tha se mbi të gjitha rregullat e reja nuk krijojnë barazi në treg.

“Qeveria thotë se do të krijojë një listë të zezë me subjektet e ndërtimit që abuzojnë me lejet që kanë marrë. Ne jemi dakord, çdo abuzim për ne si shoqatë është një konkurrencë e pandershme dhe meriton të penalizohet. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është që duhet të ketë një listë të zezë të nëpunësve të cilët nuk përgjigjen, nuk zbatojnë afatet ligjore, kthejnë përgjigje të cunguara, na lënë në pritje me muaj me radhë për një procedurë. Jemi në kushte të pabarabarta. Nëpunësve i kanë dhënë nga një top, që të kenë mundësi të penalizojnë, ndërsa ndërtuesve nga një karabiner”, tha Dervishaj në Vizion Plus.

Sipas Shoqatës së Ndërtuesve sektori nuk rregullohet me fushata. Ka nevojë për një ndryshim tërësor të ligjeve që prekin ndërtimin dhe territorin.

“Ne jemi njohur me këto ndryshime nga media. Askush nuk na ka kontaktuar si grup interesi. Brenda tre viteve kemi dy aksione ndaj sektorit për të goditur paligjshmërinë. Sektori më i rëndësishëm në vend nuk rregullohet me fushata”, tha Dervishaj.

Masat e reja parashikojnë dhe konfiskime dhe prishje të ndërtimeve në rast se tejkalohet leja e ndërtimit.