Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Jordanisë, e cila do të luhet sot në orën 19:00 në stadiumin “Arena Kombëtare”, ka sjellë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore. Policia e Tiranës ka njoftuar masa të përkohshme për kufizimin e qarkullimit në disa prej tyre pranë stadiumit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohet qarkullimi në Rrugën “Dervish Hima”, rrugën “Gjergj Filipi”, segmentin pranë Hotel “Marriott”, që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Si edhe rrugët anësore përreth stadiumit, përfshirë edhe segmentin nga Hotel “Sheraton”.

Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet me automjete në këto zona dhe të respektojnë kufizimet për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.

NJOFTIMI:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/Njoftim

Me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimin e mbarëvajtjes së ndeshjes miqësore së futbollit “Shqipëri–Jordani”, e cila do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit, në disa akse rrugore përreth stadiumit.

Konkretisht, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të kufizohet qarkullimi në:
• Rrugën “Dervish Hima”;
• Rrugën “Gjergj Filipi”;
• Segmentin pranë Hotel “Marriott”, që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,
•rrugët anësore përreth stadiumit, përfshirë kahun nga Hotel “Sheraton”.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kufizimet, si dhe iu bën thirrje të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse.

Gjithashtu, apelon për tifozët dhe sportdashësit që do të ndjekin ndeshjen, t’iu binden udhëzimeve të punonjësve të Policisë, me qëllim mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë.