Një 54-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Mallakastër, pasi dyshohet se është autori i një zjarri që shkaktoi djegien e rreth 400 pemëve të ullirit.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Qafa e Vidhit”, ku shërbimet policore ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit për zjarrin, duke mbështetur forcat zjarrfikëse dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Gjatë kontrolleve pranë vatrës së zjarrit, efektivët konstatuan shtetasin Ardian Xhafo, 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u shkatërruan rreth 400 pemë ulliri.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër e arrestuan në flagrancë 54-vjeçarin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.
Policia e Fierit u ka bërë apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, duke theksuar se përhapja e flakëve mund të shkaktojë dëme të mëdha në pronë, mjedis dhe të rrezikojë jetën e njerëzve. Gjithashtu, autoritetet ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
