Është identifikuar autori i dyshuar i zjarrvënies në malin e fshatit Vajkal, në Bulqizë.

Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Pas njoftimit për rënien e zjarrit në malin e fshatit Vajkal, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë shkuar në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, ndërsa kanë nisur edhe hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë identifikuar 49-vjeçarin si autorin e dyshuar të zjarrvënies. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, ndërsa ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi, sipas Policisë, vuan nga probleme të shëndetit mendor.

49-vjeçari është dërguar në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës për trajtim të specializuar.

Policia e Dibrës u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve, barishteve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër.