Pas një operacioni intensiv dhe të koordinuar, u bë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, bashkia Belsh. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga Belshi, Cërriku, Gramshi, Elbasani, Peqini dhe Nerat Kuçova, si dhe mbështetjes me dy mjete zjarrfikëse dhe efektivë të Forcave të Armatosura, u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacion ndihmuan edhe dy helikopterë që vepruan nga ajri duke e bërë të mundur shuarjen e flakëve në një terren tepër të vështirë. Aktualisht, zjarrfikësit dhe punonjës të bashkisë vazhdojnë kontrollin e imtësishëm të zonës për të shmangur rindezjen e ndonjë vatre të fshehur.

Ndërkohë, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare për ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka sjellë trupa dhe dy avionë zjarrfikës Canadair që po punojnë për të shuar vatrat pranë “Liqenit të Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës, një zonë me vlerë të veçantë natyrore. Po ashtu, edhe Greqia ka dërguar dy avionë Canadair që po ndihmojnë në përballimin e zjarrit në Dukat të Vlorës.