Durrës
Ai dyshohet se i ka marrë dymijë euro babait të një të interesuari për një vend pune
Para tre vitesh, ai ishte arrestuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, por deri dje kryente funksionin e një ndihmësmjeku, njëkohësisht të sekserit për vende pune në qendrën shëndetësore, ku punonte prej pak kohësh. Por dje, atij i janë vënë prangat edhe për korrupsion. Bëhet fjalë për një 40-vjeçar, i cili akuzohet se ka marrë dy mijë euro në këmbim të një vendi pune, të cilin nuk ka arritur t’ia sigurojë të interesuarit. Ndihmësmjeku Sokol Uka është nën akuzë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Gjetja e një vendi pune është bërë gjithnjë e më e vështirë dhe tashmë është kthyer në bindje se të gjeturit e saj duhet paguar paraprakisht. Nga ana tjetër, 40-vjeçari Uka, nga fshati Shën Mëri i Kukësit dhe me banim në Durrës, rezulton i arrestuar në vitin 2009 për prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Uka është i punësuar si ndihmësmjek në Qendrën Shëndetësore të lagjes Nr. 17 të Durrësit. “Më 21 shtator, ndaj tij ka bërë kallëzim penal në polici Idriz Demiri, i cili deklaron se Sokol Uka i ka marrë shumën prej 2000 eurosh në këmbim të një vendi pune për djalin e tij”, bëri të ditur specialistja e marrëdhënieve me publikun në policinë e Qarkut Durrës, Ornela Cako. Ka mjaftuar ky denoncim për të kryer veprimet e para dhe materialet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo vepër penale parashikon se pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, personi që gjendet fajtor dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Ndërkohë, burime në policinë e Durrësit bëjnë të ditur se hetimi mbi rastin po zgjerohet ndjeshëm dhe se priten edhe arrestime të tjera, madje nuk përjashtohet as rasti që denoncuesi të vihet nën akuzë për korrupsion aktiv, ndërkohë që në opinionin publik në Durrës është përshëndetur gjerësisht denoncimi që ai ka bërë. Nga burime jozyrtare policore mësohet se denoncuesi ka referuar çështjen në polici, atëherë kur i ndaluari nuk i ka mundësuar premtimin për një vend pune dhe as nuk i ka kthyer paratë, për dhënien e të cilave nuk ka fakte. Përfitimi i parregullt i parave, duke premtuar dhe siguruar aftësinë për të ndikuar te titullari i tij për një vend pune do t’u nënshtrohet përballjeve me dëshmi të reja, ndërsa Uka mësohet se nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Uka është arrestuar në flagrancë në maj të vitit 2009, kur ishte punonjës në Institucionin e Paraburgimit Durrës, me detyrën e ndihmësmjekut. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij iu gjet një sasi kanabisi, të cilën ai e mbante me qëllim për ta futur brenda qelive të paraburgimit për t’ia dhënë shtetasit Aldo A., i arrestuar nga policia për shitje të narkotikëve. V. Qyrfyçi