Fier


Ndalohet një 35-vjeçare nga Levani i Fierit, e cila dyshohet për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Burime zyrtare të policisë deklaruan dje se Bukuroshe Bejdaj, 35 vjeçe, dyshohet se në tetor të vitit të kaluar në bashkëpunim me Artan Habibajn 46 vjeç, kanë tentuar të vrasin me pistoletë një të ri nga Tirana. Mësohet se i riu A. I. ishte duke lëvizur me automjetin e tij tip “Benz” me targa TR 4020 T në afërsi të fshatit Ferras të Fierit, kur ka gërvishtur mjetin e Habibajt, i cili ka qenë së bashku me mikeshën e vet, 35-vjeçaren Bejdaj. Pas kësaj, ata kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe sherri ka degjeneruar deri në përdorimin e armës, kur Habibaj ka qëlluar me pistoletë drejt të riut nga Tirana, duke e plagosur atë. Policia arriti të prangosë 46-vjeçarin Habibaj një ditë pas ngjarjes. Ndërkaq, nga hetimet disamujore u konkludua se në këtë tentativë vrasjeje kishte bashkëpunuar edhe 35-vjeçarja, e cila e ka nxitur dhe e ka ndihmuar mikun e saj në kryerjen e krimit. E. H.