Një 21-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se ka transportuar me automjet në muajin janar, një 32-vjeçar që u përfshi në një konflikt dhe dyshohet se përdori armë zjarri.

Njoftimi:

Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Grudë e Re”.

Kapet dhe ndalohet 1 në kërkim, i cili në muajin janar 2026, dyshohet se ka transportuar me automjet, një 32-vjeçar që u përfshi në një konflikt dhe dyshohet se përdori armë zjarri.

Në vijim të kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grudë e Re”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi në kërkim:

-K. F., 21 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga hetimet dyshohet se më datë 16.01.2026, 21-vjeçari ka transportur me automjet, shtetasin E. K., i cili u konfliktua për motive të dobëta, me shtetasin A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës” dhe dyshohet se përdori armë zjarri, pa shkaktuar pasoja.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.