Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Megin Gani Ademi, 32 vjeç.

Sipas AMP-së, 32-vjeçari ushtronte detyrën e specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër dhe akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Nga hetimet paraprake rezulton se efektivi dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale në lidhje me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ndodhej në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.