Një person gjendet pothuajse i djegur në një ambient banimi pranë “Elbasan Arena”, rrethanat mbeten të paqarta

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur pothuajse i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati. Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta.

Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person të seksit mashkull në gjendje të rëndë shëndetësore, pothuajse të djegur dhe në pa jetë.

Ndërkohë, për rreth një orë, energjia elektrike është ndërprerë në një pjesë të bllokut të banimit në lagjen “5 Maj”, si masë sigurie.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se personi mund të ketë rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike, por autoritetet nuk përjashtojnë as pistën e një tentative vetëvrasjeje. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.