Një skenë e rrallë dhe domethënëse është regjistruar sot në jetën parlamentare shqiptare. Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, është paraqitur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke mbajtur në krah foshnjën e saj të vogël.
E zgjedhur për herë të parë në këtë legjislaturë, Gjuzi nuk është tërhequr nga detyrimet e saj parlamentare, duke marrë pjesë aktive në diskutimet e komisionit edhe pse me fëmijën në kraharor. Ky gjest ka tërhequr vëmendjen e anëtarëve të tjerë të komisionit dhe është pritur me përkrahje.
Kryetarja e komisionit, Anila Denaj, e përshëndeti praninë e deputetes dhe e interpretoi si një sinjal pozitiv në drejtim të barazisë gjinore dhe zhvillimit të qëndrueshëm:
“Znj. Gjuzi, shpresoj të jetë jo vetëm një prezencë e mirë e fëmijës tuaj, por edhe në frymë të zhvillimit të qëndrueshëm. Një nga objektivat e tij është pikërisht barazia gjinore dhe politikat mbështetëse për nënat në punë. Prania juaj këtu me fëmijën është shembulli më i mirë i kësaj,” u shpreh Denaj.
Ndërkohë, deputetja Gjuzi mori fjalën për të diskutuar çështje teknike të rendit të ditës, duke treguar se roli i nënës dhe i ligjvënëses mund të përmbushen njëkohësisht me përkushtim.