Një incident është shënuar gjatë ditës së sotme në bulevardin “Ismail Qemali”, ku një grua rreth 35 vjeçe është rrëzuar pasi është penguar në një nga blloqet e betonit të vendosura përgjatë zonës. Si pasojë e rrëzimit, ajo ka pësuar dëmtime në kokë.
Sipas informacioneve, blloqet e betonit janë të vendosura pranë trotuareve dhe hapësirave të kalimit të këmbësorëve, pa sinjalistikë paralajmëruese, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për qytetarët.
Banorët dhe kalimtarët kanë ngritur shpesh shqetësime për këtë problem, pasi raste të tilla nuk janë të izoluara.
E lënduara është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së spitalit rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ky shqetësim mbetet serioz, sidomos për personat e moshuar. Vetëm një muaj më parë, një grua rreth 65 vjeçe humbi jetën pasi u rrëzua në të njëjtën mënyrë, duke u penguar në këto blloqe betoni.
