Një rast i pazakontë është zbuluar nga autoritetet në Shkup, ku një 25-vjeçare dyshohet se tentoi të fusë drogë në burgun e Idrizovës gjatë një vizite tek bashkëshorti i saj i burgosur.

Sipas informacioneve, ajo kishte marrë me vete 60 vezë, por gjatë kontrollit rutinë gardianët kanë vënë re parregullsi në paketim, çka ngriti dyshime.

Pas kontrollit dhe verifikimit manual, u zbulua se 28 prej vezëve përmbanin qese të vogla me kokainë dhe marihuanë.

Nga sekuestrimi rezultoi se bëhej fjalë për mbi 318 gramë marihuanë dhe rreth 142 gramë kokainë, të cilat dyshohet se kishin si destinacion ambientet e brendshme të burgut.

Menjëherë pas zbulimit, Prokuroria nisi procedurat hetimore ndaj 25-vjeçares për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të lëndëve narkotike.

Hetuesit dyshojnë se rasti lidhet me tentativat e vazhdueshme për futjen e drogës në institucionet penitenciare të Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria kërkoi masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarën, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.

Në shqyrtimin e masës është marrë parasysh edhe fakti se ajo është nënë e disa fëmijëve të mitur, përfshirë edhe një foshnje pesë muajshe.