Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se nismat e reja ligjore për menaxhimin e mbetjeve janë të mirëkoordinuara me bizneset dhe nuk do të sjellin masa drastike ndaj tyre, edhe pse sipas saj disa kosto do të rëndojnë mbi ta.
Ministrja shtoi se kjo do të jetë një kosto e ndarë, por theksoi se nuk ka një alternativë tjetër, pasi kjo është një praktikë e zbatuar në të gjithë botën.
“E kemi parashikuar këtë gjë që të mos jetë drastik me bizneset, me të cilat kemi vite që diskutojmë. Kjo do të jetë një kosto e shtuar për bizneset, por parimi ‘ndotësi paguan’ është një parim që nuk mund jetë vetëm në letër. Përmes këtij detyrimi ligjor, kompanitë private shpërndarës, prodhues apo importues kanë detyrimin ti gjurmojnë, ti rikuperojnë mbetjet që gjenerojmë vetë, ose për ti ricikluar, ose për ti vetëtrajtuar me kostot e tyre. Do jetë një kosto e ndarë, por nuk mund të gjejmë një shembull tjetër ngase e bën gjithë bota. Pa këtë marrje përgjegjësie nga të gjitha palët nuk mund të kemi sukses.”- tha ajo.