Liqeni i Kukësit, i cili shërben edhe për prodhimin e energjisë elektrike në HEC-in e Fierzës, sot po përballet me një nga krizat më të rënda mjedisore në historinë e tij. Ndotja e pakontrolluar ka mbuluar thuajse të gjithë sipërfaqen mbi Kukësin e vjetër, duke dëmtuar rëndë florën dhe faunën që dikur e bënin këtë liqen një ekosistem të gjallë e të pasur.

Plastika, mbeturina të shumta dhe materiale të tjera të rrezikshme kanë pushtuar ujin, duke e shndërruar një pasuri ujore në një pasqyrë të hidhur të neglizhencës sonë kolektive.

Situata është përkeqësuar pas reshjeve intensive të shiut, të cilat rritën ndjeshëm prurjet në lumenjtë që furnizojnë liqenin. Pjesa më e madhe e mbeturinave vjen nga dy burimet kryesore: Drini i Bardhë nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia e Veriut. Me rrjedhën e ujit kanë mbërritur tonelata mbeturinash që sot lundrojnë mbi sipërfaqen e liqenit, duke mbytur jetën brenda tij.

Ironikisht, në breg të liqenit qëndron e palëvizur një anije ekologjike moderne, e ardhur si dhuratë nga qeveria gjermane në maj të vitit 2024.

E financuar me 180 mijë euro nga taksapaguesit gjermanë dhe e implementuar nga shoqata “Everwave”, kjo anije ishte parashikuar të qëndronte dy vjet në Kukës për të ndihmuar në pastrimin e liqenit. Por sot ajo qëndron e ndalur, e mbuluar nga ndryshku dhe balta, si një relikte e harruar buzë ujit—jo si mjeti shpëtues për të cilin u mendua.

Kjo situatë nuk është vetëm një problem sipërfaqësor; është një alarm i kuq për shëndetin, mjedisin dhe imazhin e qytetit. Megjithatë, deri më tani, nga institucionet vendore nuk ka pasur asnjë reagim. Liqeni po mbytet në mbeturina, ndërsa zgjidhja ndodhet e braktisur vetëm pak metra larg tij.