Sezoni turistik
Mungon riciklimi i mbetjeve të ngurta e të lëngshme nga mjetet lundruese
Ndotja detare, si pasojë e veprimtarisë së pakontrolluar të kompanive private është kthyer në një problem të mprehtë për mjedisin, veçanërisht në prag të sezonit turistik kur nevoja për ujëra të pastra del më në pah. Kreu i kontrollit mjedisor në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati, gjatë një takimi në Durrës ka deklaruar se ka kompani fiktive të cilat operojnë në portet shqiptare pa leje mjedisore, duke shkaktuar ndotje ekologjike. Sipas tij, asnjë subjekt në vend deri tani nuk plotëson standardet e BE-së për riciklimin e mbetjeve të ngurta e të lëngshme.
Në prag të sezonit turistik,administrata detare, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, brenda një muaji do të ushtrojnë kontroll përmes një grupi Task Forcë për monitorimin e ndotjes detare nga tragetet dhe mjetet e tjera lundruese.
Gazmir Tahiri, drejtor i Drejtorisë Detare thotë se investimet e mëdha të realizuara në portet detare shqiptare dhe ndryshimi i pamjes së porteve duhet të përkojnë me operacione të pastra ekologjikisht, duke siguruar operatorët ndërkombëtarë të linjave të njohura të transportit të udhëtarëve për cilësinë dhe pastërtinë e ujërave tona. Task Forca do të monitorojë të gjithë portet shqiptare me qëllim minimizimin e ndotjes ekologjike, që vjen si pasojë e mungesës së riciklimit të mbetjeve të ngurta e të lëngshme nga mjetet lundruese. Për të gjitha subjektet që nuk zbatojnë ligjin do të nisë zbatimi, ashtu si dhe në botë, i sanksioneve administrative nga 70 – 100 mijë euro, deri në pezullim të aktivitetit. v.q.