Ish i përndjekuri beson te sensibilizimi i amerikanëve ndaj kauzës së tyre
Fatjona Mejdini
Teksa hyn në korridorin e djegie-plastikës në spitalin qendror të Tiranës, në ajër ndihen zhurma dhe zëra të lartë njerëzish. Në momentin që kërkon të kuptosh se nga cila dhomë vijnë ato, ndien qartë se simfonia e zërave gumëzhin pikërisht nga dhoma e Gjergj Ndrecës. Ajo është e mbushur plot dhe një pjesë e vizitorëve qëndrojnë në këmbë, për shkak se nuk kanë më vend ku të ulen. Bashkëshortja e tij, e buzëqeshur dhe energjike, mundohet të “koordinojë” sadopak hyrje-daljet, duke pritur dhe përcjellë shokë nga greva e urisë, të afërm dhe qytetarë, të cilët kanë shprehur dëshirën ta vizitojnë. Shëndeti i Gjergj Ndrecës duket i përmirësuar, ai tashmë ka mundësinë të riligjërojë me zë të lartë dhe pasion për grevën, dëmshpërblimin dhe madje për përfaqësuesit e lartë të diplomacisë amerikane, ku duket se beson më shumë se në çdo gjë tjetër.
Vizita e Klintonit
Menjëherë sapo afrohem pranë shtratit të tij të spitalit, Ndreca zgjat dorën dhe nga sirtari i komodinës në krah, nxjerr prej aty letrën që i ka dërguar sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klintonit. Ai nxiton të tregojë menjëherë se është i lumtur që Klinton do të vizitojë më 1 nëntor Tiranën dhe thekson se është i sigurt që pas letrës së dërguar, sekretarja amerikane do të interesohet për kauzën e tij dhe të shokëve. “Unë pres që Hillari Klinton të më vijë të më vizitojë këtu në spital. Do t’u kërkoj përfaqësuesve të ambasadës amerikane t’ia kërkojnë një gjë të tillë. Mendoj se ajo është një njeri i thjeshtë dhe i madh, që nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj padrejtësive që ne po na bëhen këtu. Jam i sigurt që në takimet në Tiranë ajo do e përmendë grevën tonë. I kemi dërguar një letër, ku i shpjegojmë në mënyrë të qartë pse jemi futur në grevë dhe kemi ndërmarrë aktet e vetëdjegies”, thekson ai, duke shprehur bindjen se Klinton do të interesohet për kauzën dhe shëndetin e grevistëve. Ndreca shton se kjo bindje i vjen edhe nga humanizmi që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka treguar për këtë grevë dhe po kështu nga deklarata që diplomati i lartë amerikan, Filip Rikel, ka bërë në mbështetje të grevës. “Berisha na ka quajtur terroristë, por më thuaj a flasin me terroristët njerëz si Arvizu dhe Riker”, më drejtohet ai.
Meraku për Lirakun
Por Gjergj Ndreca nuk është i qetë. Ai shprehet se më shumë se çdo gjë tjetër në këto momente e shqetëson gjendja e rëndë shëndetësore e shokut të tij, Lirak Bejko, i cili i vuri flakën vetes pas tij. Lajmet që vijnë nga Bari i Italisë, vend në të cilin Bejko po kurohet, nuk janë fort të mira. “Mjekët janë të mendimit se ai ende nuk e ka tejkaluar rrezikun e jetës dhe situata pas djegies vijon të jetë tepër e vështirë për të”, thekson Ndreca me pikëllimin që i lexohet qartë. Sipas tij, kërkesat e tyre ishin tepër të thjeshta për t’u përballur me një indiferencë të tillë nga ana e qeverisë shqiptare. Por Ndreca thekson se vijon të lutet për shëndetin e Bejkos dhe uron që situata e vështirë t’i kalojë sa më shpejt.
Bejko: I vetëdjeguri i dytë i grevës së urisë, Lirak Bejko, është ende në luftë për jetën
Mjekimi: Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të mundur kurimin e Bejkos në Bari të Italisë
Familjarët: Vetëm javën e ardhshme, bashkëshortja e Bejkos do të ketë mundësinë ta vizitojë atë
Qëndrimi: Të përndjekurit politikë u etiketuan si terroristë dhe mashtrues nga ana e Kryeministrit Berisha
Thirrja: Nga dhoma e Gjergj Ndrecës në spital, disa ish të përndjekur, të cilët kanë qenë pjesë e grevës së urisë, i bëjnë thirrje Avokatit të Popullit, Igli Totozanit, të mbajë fjalën dhe të padisë përgjegjësit e shkatërrimit të grevës së urisë
Mbështetësit: Gjergj Ndreca deklaron se gjatë këtyre ditëve në spital shumë qytetarë të panjohur më parë për të, kanë ardhur për ta përgëzuar në lidhje me kurajën e treguar gjatë grevës së urisë dhe kërkesat e shfaqura
Shqetësimi: Vetë të përndjekurit, ndonëse janë të bindur se bënë maksimumin e mundshëm për të shtruar kërkesat e tyre gjatë grevës së urisë, shprehen se ata nuk kanë shpresë se qeveria do të ndryshojë qëndrimin ndaj tyre
Kryeministri nuk i është përgjigjur letrës për bisedime pas grevës
Berisha, asnjë shenjë për negociata me të përndjekurit
Qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë asnjë shenjë për negociata me ish të përndjekurit politikë, të cilët kërkojnë përshpejtimin e procedurës për dhënien e dëmshpërblimit ekonomik. Pavarësisht se për 30 ditë me radhë, qeveria dhe Kryeministri Berisha nuk pranuan të uleshin në bisedime me përfaqësuesit e të përndjekurve që u futën në grevë urie, bisedimet nuk po ndodhin as tani që greva ka përfunduar. Pak ditë më parë, koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, deklaroi se një grup ish të burgosurish politikë i kishin nisur Kryeministrit Berisha një letër, ku i kërkonin uljen për negociata në lidhje me pretendimet e tyre për dëmshpërblimin ekonomik. Por, pavarësisht kësaj, ende nga qeveria nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Ulja e përfaqësuesve të saj me grupin e të përndjekurve politikë që ishin pjesë e grevës apo e mbështetën atë, duket e pamundur. Kjo, pasi Kryeministri Berisha ka ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër një pjese të të përndjekurve politikë që ishin në grevë dhe koordinatorëve të tyre. Berisha, i ka akuzuar të përndjekurit për mashtrim, terrorizëm dhe njerëz të cilët kanë qenë të dënuar për vese si pija, prostitucioni dhe droga. Nga ana tjetër, Berisha ka theksuar se greva e të përndjekurve është politike dhe ka qenë e orkestruar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Berishës, vetëdjegiet e anëtarëve të grevës u orkestruan nga ana e Ramës për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Nisur nga këto, Berisha ka pohuar se atij nuk i kishte shkuar asnjëherë në mendje të negocionte me grevistët dhe me sa duket nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, as tani që greva ka përfunduar. Nga ana e tyre, të përndjekurit i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur motivet e grevës së tyre thjesht ekonomike dhe të palidhura me ndonjë parti të veçantë politike.
Vota: Të përndjekurit në grevë kanë deklaruar se ata kanë qenë votues të PD-së