Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka prezantuar ndryshimet e reja që do të vihen në zbatim për informimin e qytetarëve. Në një deklaratë për media, Hita tha se qytetarët kanë nevojë të informohen në mënyrë të saktë, ndaj do të zbatohet një praktikë e re, e njëjtë me praktikën europiane.

Hita në fjalën e tij, theksoi se drejtorët e komisariateve do të dalin një herë në muaj për të bërë bilancet e muajit. Ndërkohë që theksoi se në rast se do të ketë ngjarje kriminale, detajet do të bëhen të ditura për mediat nga drejtorët e policisë nga vendngjarja.

“Jemi në shërbim të qytetarëve dhe transparenca është e domosdoshme në punën tonë, që të forcohet besimi mes qytetarëve dhe policisë. Mënyra se si përcillen ngjarjet ka sjellë shqetësime te qytetarët dhe, pas konsultimeve me specialistë të fushës dhe partnerët tanë, kemi vendosur një formë të re komunikimi më të përgjegjshme. Kjo nuk është tërheqje nga transparenca, por një hap përpara drejt një transparence më cilësore,” u shpreh Hita.

Sipas Hitës, 4 janë shtyllat e reja të komunikimit që synojnë të përmirësojnë cilësinë e informacionit dhe të shmangin keqkuptimet në publik.

“1. Publikim i të dhënave statistikore. Të gjitha të dhënat javore, mujore dhe vjetore do të jenë të aksesueshme për publikun në faqen zyrtare të Policia e Shtetit. 2. Informim në kohë reale. Efektivët në terren do të japin informacionin e nevojshëm për median dhe publikun në kohë reale, përmes njoftimeve zyrtare. 3. Konferenca periodike. Drejtuesit e policisë do të zhvillojnë konferenca mujore për të prezantuar punën, sfidat dhe rezultatet në çdo qark. 4. Njoftim i menjëhershëm për ngjarje të rëndësishme. Ngjarjet me impakt të lartë do të raportohen në mënyrë të plotë dhe në kohë përmes kanaleve zyrtare të institucionit. Ndryshimet vijnë si mënyrë për të rritur sigurinë në vend dhe për të forcuar besimin e qytetarëve ndaj institucionit tonë,” u shpreh ai.