Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë një ditë pas ndryshimeve surprizë të cilat i njoftoi në mbledhjen maratonë të grupit parlamentar socialist. Mbledhja e qeverisë ishte parashikuar të zhvillohej dje, por u zhvendos për sot për shkak të mbledhjes së grupit të PS, në të cilën kryesocialisti Edi Rama bëri me dije shkarkimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj.
Tashmë e shkarkuar, Balluku nuk iu bashkua mbledhjes së qeverisë, bashkë me dy ministrat e tjerë që Rama i largoi nga kabineti i tij, Pirro Vengun si ministër të Mbrojtjes dhe Elisa Spiropalin si ministre e Jashtme.
Numrin 2 të qeverisë, kryeministri Rama ia ka besuar Albana Koçiut, e cila vendin në ministrinë e Brendshme ia lë Besfort Lamallarit, që dikur ka qenë zv.ministër i Brendshëm dhe tashmë largohet nga drejtimi i dikasterit të Drejtësisë. Ky post i është besuar Toni Gogut, pozicionin e të cilit do ta zërë deputetja e Vlorës, Eriona Ismaili si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Në Ministrinë e Jashtme, Edi Rama sjell një diplomat karriere si Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në BE dhe OBK. Në Ministrinë e Mbrojtjes do të emërohet Ermal Nufi, deri sot zëvendës sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Nga viti 2021 Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Portofolin e Energjisë dhe Infrastrukturës, një nga ministritë më të rëndësishme, ia besoi Enea Karakaçit, dikur vartësi i Ballukut, pasi drejtonte OSHEE-në.
‘Furtuna’ Balluku nuk kaloi pa pasoja. Ramës iu desh të riformatonte qeverinë pa bërë ende 6 muaj nga nisja e mandatit të ri, me 4 hyrje të reja jashtë kabinetit qeverisës.
Tashmë kryeministri Edi Rama do t’i propozojë Presidentit Bajram Begaj shkarkimin e ministrave aktualë dhe emërimin e 7 ndryshimeve të reja. Pasi Begaj të dekretojë shkarkimin dhe emërimin e emrave të rinj të qeverisë Rama, ndryshimet paraqiten për votëbesim në Kuvend (ku duhen 71 vota) dhe më pas ministrat e rinj betohen te Presidenti Begaj për të marrë detyrën.
7 ndryshimet në Qeveri
Albana Koçiu zv.kryeministre – zëvendëson Belinda Ballukun
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës – zëvendëson Belinda Ballukun
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm – zëvendëson Albana Koçiun
Toni Gogu ministër Drejtësie – zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm – zëvendëson Elisa Spiropalin
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes – ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin – zëvendëson Toni Gogun
