Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të depozitoj të hënën në Grupin Parlamentar të PS-së ndryshime ligjore që lidhen me kompetencat e gjykatave në raport me pushtetet e tjera.

Sipas raportimeve, ligji që po ndryshon, nuk do të shpëtojë nga pezullimi vetëm kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, por të gjithë krerët e institucioneve që burojnë nga Kushtetuta. Këtu përfshihet, Presidenti i Republikës (aktualisht Bajram Begaj), Avokati i Popullit (Endrit Shabani), Kreu i KLSH-së (Arben Shehu) dhe Guvernatori i Bankës (Genc Sejko). Ndërhyrja do të bëhet në Kodin e Procedurës Penale, konkretisht në nënin 242, ku përcaktohet se ndaj kujt nuk mund të vendoset masa e sigurisë pezullim nga detyra.

Kodi i procedurës penale, neni 242:

Si është: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Si bëhet: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.