Pas ndryshimeve në qeveri, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 09:00 Kryesinë e Partisë Socialiste.
Në fokus të mbledhjes do të jetë caktimi i datës të Asamblesë të PS-së. Ky takim i socialistëve vjen pak ditë pas mbledhjes së Grupit të PS, ku dhe u kryen ndryshimeve të mëdha në qeveri, si edhe shkarkimi nga detyra e Belinda Ballukut, e cila mbante postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e lënë në duart e SPAK, pasi është vënë zyrtarisht nën akuzë për abuzime me tenderat dhe për të cilën ka kërkuar arrestimin.
Gjatë ditës së djeshme Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, Kryeministri Rama i paraqiti Kreut të Shtetit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Rama e Begaj u takuan për afro 40 minuta në Pallatin e Brigadave, ku kreu i qeverisë i dorëzoi për dekretim shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinetin qeveritar.
Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e shkarkimeve dhe emërimeve të reja në kabinetin qeveritar, të cilat më pas kalojnë për votim në Parlament, ku për miratimin e tyre nevojiten 71 vota. Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e rinj betohen tek Presidenti Begaj për të marrë detyrën e re.
Shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj u njoftuan në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me kabinetin qeveritar që u mbajt më 26 shkurt, ku Edi Rama vendosi të zëvendësojë zëvendëskryeministren Belinda Balluku me Albana Koçiun, e cila duhet të lërë Ministrinë e Brendshme që drejton aktualisht.
Vakancën e krijuar nga largimi Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do ta plotësojë Enea Karakaçi, i cili ka mbajtur deri më sot postin e Drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Elisa Spiropali, e cila mbajti detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme, do të zëvendësohet nga diplomati i karrierës, Ferit Hoxha, të cilit më herët i janë besuar detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit në OKB e BE.
Toni Gogu do të udhëheqë një tjetër portofol të rëndësishëm, atë të Ministrisë së Drejtësisë, në vend të Besfort Lamallarit, i cili shkon sërish në dikasterin ku ka shërbyer prej vitesh, por kësaj radhe si drejtues i Ministrisë së Brendshme.
Deputetja e re e qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, do të ulet në karrigen e lënë bosh nga Toni Gogu, duke kryesuar Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin. Sakaq, pjesë e rokadës së ndryshimeve në qeverinë e re është edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili zëvendësohet nga Ermal Nufi, që mban detyrën e zv.Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, ndërsa më herët ka qenë shef kabineti i zv.Kryeministres Balluku.
