Qeveria shqiptare ka miratuar një paketë ndryshimesh me synim thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave të regjistrimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit, që do të realizohen tashmë vetëm në mënyrë elektronike.

Sipas vendimit të ri, qytetarët do të duhet të kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e adresës përmes portalit “e-Albania”, duke ngarkuar dokumente që vërtetojnë të drejtën e qëndrimit, si akt pronësie, kontratë qiraje apo marrëveshje përdorimi.

Në rastet kur një shtetas kërkon të bashkohet me një familje ekzistuese, kërkesa dhe miratimi do të bëhen gjithashtu online nga kryefamiljari. Gjithashtu, çdo anëtar i një familjeje duhet të ketë të regjistruar të njëjtën adresë, ndërsa anëtarët madhorë që zgjedhin të ndryshojnë vendbanimin duhet të veçohen më parë nga familja ekzistuese në regjistër.

Ndryshimet parashikojnë edhe rregulla të posaçme për shtetasit që ndodhen në burgje, paraburgime ose institucione shëndetësore për më shumë se tre muaj, ku institucionet përkatëse duhet të njoftojnë gjendjen civile përmes platformës së ndërveprimit brenda afateve të përcaktuara.