Komisioni i Ankimimit në Policinë e Shtetit ka ndryshuar disa nga masat disiplinore të vendosura më herët nga Drejtoria e Standardeve Profesionale ndaj disa drejtuesve të policisë. Vendimet u morën gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të martë, ku u shqyrtuan ankesat e paraqitura nga efektivë dhe drejtues të ndryshëm.

Sipas burimeve, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, është vendosur shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj, duke rrëzuar masën fillestare që parashikonte ulje në gradë për 5 vjet.

Ndryshim mase është bërë edhe për zëvendësdrejtorin për rendin në Lezhë, Taulant Gjoka. Komisioni vendosi shtyrje të afatit të gradimit për 6 muaj, duke rrëzuar vendimin e parë që ishte për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit.

Po ashtu, edhe për shefin e Komisariatit të Policisë Lezhë, Oltion Gjoni, komisioni rrëzoi vendimin fillestar për përjashtim nga policia, duke vendosur si masë disiplinore shtyrjen e afatit të gradimit për 1 vit.

Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin e Policisë së Fierit, Oliger Torba, u rrëzua masa për ulje në gradë dhe në përfundim komisioni vendosi vetëm masën e vërejtjes.

Gjatë mbledhjes së kësaj të marte, Komisioni i Ankimimit shqyrtoi rreth 25 ankesa të paraqitura nga punonjës të ndryshëm të policisë, për të cilët më herët ishin marrë masa disiplinore nga strukturat përkatëse.