Ikën Dritan Lame i Kombinatit, emërohet në Policinë e Shtetit. Të gjitha lëvizjet
Policia e Tiranës vazhdon të jetë në reformë, teksa janë ndryshuar të gjithë shefat e komisariateve. Një nga lëvizjet e firmosura nga Hysni Burgaj është edhe largimi i Dritan Lames nga Kombinati, ndaj të cilit kishte nisur një valë sulmesh, madje edhe me pankarta të shpërndara në të gjithë kryeqytetin. Lame është emëruar në një post drejtuesi në Policinë e Shtetit, teksa kjo e fundit pohon se ndryshimet janë në kuadër të strukturës së re të Policisë së Shtetit, projekt i përgatitur në muajin janar dhe, i cili do implementohet brenda datës 1 dhjetor 2013.
Ndërkohë, lëvizje ka pasur edhe te Qarkullimi Rrugor i Tiranës, ku vjen Genci Peka. Ndërkohë, në krye të Komisariatit të Kavajës është emëruar Urim Rexhepi, i cili mbante postin e shefit të komisariatit nr.3 në Tiranë.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se në krye të Komisariatit të Policisë Nr.1 është emëruar Nazmi Shuli. Dritan Dorda emërohet shef i Komisariatit Nr.2, post të cilin e mbante i komanduar, pas disa detyrave në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës dhe në Policinë e Shtetit.
Në krye të Komisariatit të Policisë Nr.3 emërohet Alfred Njumani, i cili mbante detyrën e shefit të Komisariatit në Mirditë. Ky komisariat konsiderohet si një nga më kryesorët në Tiranë, pasi mbulon një nga zonat me kriminalitet të theksuar, Laprakën dhe zonën e Brakës.
Ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Gazmend Hamitaj, është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Nr.4. Para kësaj detyre mbante detyrën e shefit të Komisariatit Nr.1, i komanduar. Rakip Hoxha është emëruar shef i Komisariatit Nr.5 në Kamzë, ndërsa
Sejfulla Metko emërohet shef i Komisariatit 6. Ky i fundit, më parë ka qenë shef komisariati në Durrës dhe në Elbasan etj.
“Largohet nga Komisariati Nr. 6, Dritan Lame, i cili emërohet në një pozicion drejtues brenda strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, pohon policia, duke saktësuar se ish-shefi i komisariatit nr.4, Lulzim Shala, është emëruar në një komisariat të Drejtorisë së Policisë së Beratit.
Ali Allaraj lë detyrën e shefit të Qarkullimit Tiranë dhe merr një pozicion drejtues në Policinë e Tiranës.