Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se objektivi i qeverisë së tij është që eksportet bujqësore do të shkojnë 1 miliard euro në vitin 2030.

Në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, Rama theksoi se arritja e këtij objektivit kërkon një fuqi të shtuar të sektorit dhe të fermerëve. Ai shtoi se kjo fuqi e shtuar, do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjeve të volumit të sipërmarrjes në fshat.

“Ne kemi vendosur një objektiv ambicioz që në Shqipërinë 2030 eksportet bujqësore të arrijnë 1 miliardë euro. I kemi katërfishuar. Dhe arritja e objektivit kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, të fermerëve dhe kjo fuqi e shtuar do të vijë përmes investimeve dhe përmes rritjeve të volumit të sipërmarrjes në fshat. Është e domosdoshme edhe për Shqipërinë, anëtare të BE, sfida e konkurrencës dhe përshtatjes me rregulla e standarde edhe më të larta është sfidë e madhe.”– tha Rama.