Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin që ka shpërthyer rreth projektit turistik në Zvërnec, duke akuzuar kundërshtarët e tij se po bashkëpunojnë me mediat greke për të penguar një investim strategjik në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë publikoi një pjesë nga emisioni “Shqipëria Live”, ku kryetari i Diasporës Shqiptare në Greqi flet për jehonën që projekti ka marrë në mediat greke. Rama e cilëson investimin si një mundësi historike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, ndërsa ironizon protestuesit duke thënë se kanë siguruar “mbulim të garantuar” nga mediat greke.

Rama: Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botë.

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.

Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi  për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…

Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum.

Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth.