Në “Breaking” në Top News, u diskutua sot kaosi që u bë në aeroportin e Rinasit, pasi kontrollorët e “Albcontrol, vendosën që të shpallin paaftësinë në punë, duke mos dhënë shërbimin e tyre.

Në studio ishte i ftuar ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari, i cili u shpreh se kjo ngjarje është një njollë për imazhin e Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, ai tha se kontrollorët kanë shkelur ligjin, pasi një shërbim i tillë nuk duhet të ndalojë së funksionuari në asnjë moment.

Por nuk ishte në këtë mendje gazetari i ekonomisë, Gjergj Erebara, i cili tha se në fakt ajo çfarë po ndodh me kontrollorët është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Biseda mes Hajdarit dhe Erebarës në “Breaking”:

Hajdari: Unë i kam hetuar disa dosje në Prokurori. Nuk dua të paragjykohet puna e policisë dhe Prokurorisë.

Erebara: Nuk e paragjykoj, e gjykoj. I kanë mbajtur pa gjumë, i kanë torturuar kontrollorët

Hajdari: Kanë komunikuar me njëri-tjetrin që të bëjnë një veprim të tillë

Erebara: Kjo përbën vepër penale? Për këtë duhet të shkelet kushtetuta? Kontrollorët kanë të drejtë të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Hajdari: Gjykata do të shohë të gjitha kushtet për të vendosur një masë sigurie. Mund të ketë të lehta, nuk ka pse të aplikohen të ashpra, si burgu

Erebara: Në 90 për qind të rasteve, është se prokurorët në Shqipëri kërkojnë arrest me burg në të tilla raste.

Hajdari: Gjykata do vendosë masa sigurie të përshtatshme. Nuk ka pse të jetë me masa të ashpra. Por ka nevojë për hetim. Pezullim nga puna apo paraqitje me detyrim, janë ta pranueshme derisa të bëhen hetimet e nevojshme.