Autoritetet greke janë vënë në alarm pas zhdukjes së Alket Rizait, i cili nuk është rikthyer në institucionin e vuajtjes së dënimit pas përfundimit të lejes së marrë nga burgu.

Sipas Policisë Greke, 48-vjeçari duhej të paraqitej në qeli mëngjesin e së hënës, më 14 shtator, në orën 08:00, por nuk respektoi afatin e kthimit. Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, autoritetet nisën një operacion kërkimi që tashmë është shtrirë në të gjithë territorin e Greqisë.

Zëdhënësja e Policisë Greke, Constantia Dimoglidou, bëri të ditur për ERT se kontrollet nuk janë përqendruar vetëm në Atikë, ku Rizai rezulton të jetë parë për herë të fundit, por po zhvillohen në disa zona të vendit.

Sipas saj, deri në këtë rast Rizai kishte përfituar 16 leje nga burgu dhe në të gjitha rastet ishte rikthyer brenda afateve të përcaktuara.

Emri i tij po verifikohet gjithashtu në lidhje me një episod të ndodhur në orët e para të së dielës në Anavyssos, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri pranë një lokali në zonën bregdetare. Autoritetet greke po hetojnë nëse Rizai ka pasur rol në këtë ngjarje.

Alket Rizai është një emër i njohur për drejtësinë greke, veçanërisht për dy arratisjet e bujshme nga burgu i Korydallos. Në vitet 2006 dhe 2009, ai dhe Vasilis Paleokostas arritën të largoheshin nga burgu me helikopter, në dy operacione që morën jehonë të madhe në Greqi dhe jashtë saj.

Tashmë, pas moskthimit nga leja, Rizai është shpallur sërish në kërkim, ndërsa forcat greke po zhvillojnë kontrolle të zgjeruara për lokalizimin dhe arrestimin e tij.