Vlorë, gjendet makina e autorëve. Ishte vjedhur më 10 korrik
Policia ka gjetur dje paradite një automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët e grabitjes së bankës në Vlorë. Sipas policisë, ky automjet rezulton se ishte vjedhur disa ditë më parë. Policia ka thënë se gjatë grabitjes autorët kanë marrë 6 milionë lekë dhe 33.695 euro. Bëhet fjalë për automjetin tip Benz 250 me targa franceze, me ngjyrë të bardhë. Automjeti i gjetur dyshohet nga policia se ka pritur grabitësit pas ngjarjes në afërsi të xhamisë dhe më pas bashkë me to është larguar në kundërvajtje. Më pas, ekspertët dyshojnë se automjeti me grabitësit ka ecur për rreth 1 kilometër për të dalë më pas te kisha ortodokse. Autorët, për të humbur gjurmët, kanë braktisur makinën dhe dyshohet se kanë përdorur makinë tjetër. Çështja tashmë i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Renda. Nga inventari që është mbajtur nga ekspertët e Bankës, dyshohet se autorët kanë mundur të marrin një sasi prej 6 milionë lekësh dhe 33.695 euro. Policia thotë se “u bë gjetja e këtij mjeti, i braktisur në lagjen ‘Lef Sallata’ (pranë shkollës speciale të prapambetjes së lehtë mendore). Nga veprimet e kryera për automjetin e dyshuar të përdorur nga autorët në këtë ngjarje, rezulton se është vjedhur në datën 10.07.2016, në lagjen ‘Rilindja’ Vlorë, pranë rrugës Transballkanike. Për vjedhjen e këtij automjeti, nga ana e Policisë janë kryer veprimet procedurale dhe automjeti rezulton i shpallur në kërkim”. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë hetimet për të sqaruar edhe rolin e shërbimit të sigurisë private që ka nënshkruar kontratë për sigurinë e bankës. Policia po punon intensivisht për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.