Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur Naun Shundi do të mbërrijë sot në Shqipëri, ku pritet të marrë trajtim mjekësor në QSUT.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Kulturës, të cilat në një reagim zyrtar kanë garantuar se aktori do të ketë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Familjarët e tij kanë hapur një llogari në platformën “Gofoundme” për të mbledhur fondet e duhura për trajtimin. Vajza e artistit, Rea Shundi, ka treguar se i ati po vuan nga një sëmundje e rëndë, kanceri i lëkurës.
Në një postim prekës në rrjetet sociale, Rea shkruan:
“Sot nisemi për në Shqipëri, me mendimin dhe dëshirën e nisjes së kurës. Ka shumë të panjohura, pasi vetë sëmundja dhe mundësitë janë të paparashikueshme. Nëse gjërat shkojnë mirë në QSUT, jemi të qetë. Nëse jo, sfida të tjera na presin.”
Ajo ka falënderuar miqtë, kolegët dhe dashamirësit që kanë ndihmuar financiarisht dhe shpirtërisht familjen Shundi në këtë betejë të vështirë.
Naun Shundi, i njohur për rolet e tij në teatër dhe kinema, ka një karrierë disa dekadëshe. Ai ka lënë gjurmë me interpretimet dhe veprat e tij, duke u bërë një figurë e dashur për publikun shqiptar.
