Pas zotimeve të njëpasnjëshme të kryeministrave britanikë për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm, duket se trafikantët shqiptarë kanë nisur t’i sfidojnë sërish autoritet.
Tashmë këto grupe që trafikojnë shqiptarët drejt Britanisë së Madhe nëpërmjet rrugëve ilegale, janë rikthyer në rrjetet sociale për të reklamuar aktivitetin e tyre. Mediat e huaja raportojnë se janë hequr nga platformat sociale rreth 12 mijë postime që reklamojnë udhëtimet me varka për në Mbretërinë e Bashkuar nga grupet kriminale.
“Një plan për të kuptuar se si kriminelët i shfrytëzojnë viktimat e dëshpëruara për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar u lançua në dhjetor 2021 me gjigantët e internetit duke përfshirë X , TikTok , YouTube dhe Meta, e cila ka në pronësi Instagram, Facebook dhe WhatsApp.
Rreth 3,300 postime, faqe ose llogari u hoqën ose u pezulluan deri në prill të vitit 2023, ndërsa një goditje e shpejtë gjatë vitit të kaluar ka fshirë pothuajse 9,000 postime, një total prej pothuajse 12,000 deri në fund të qershorit”, shkruan media britanike “Sky News”.
Një reklamë ku shfaqet imazhi i dy motoskafëve thotë në shqip: “Ne i çojmë njerëzit në Britani me skaf. Është një punë e përfunduar brenda 45 minutave. Kalimi është 100% i garantuar (i sigurt). Mos e humbisni [këtë mundësi]. Së shpejti do të jemi gati [të nisemi]. Shkruani privatisht.”

Një tjetër, që tregon një hartë që përshkruan me një vijë të kuqe rrugën nga Shqipëria në Kanalin e La Mansh, ofron “udhëtime 100% të garantuara (të sigurta) me ne”, duke shtuar: “Rekomandoni udhëtimet tona mikut tuaj dhe fitoni 500 €”.

Udhëheqësi i NCA-së për kërcënimet e krimit të organizuar të imigracionit, Dan Barcroft, tha: “Mediat sociale janë kyçe për mënyrën se si funksionojnë këto grupe të krimit të organizuar, kështu që fshirja e tyre ka një efekt të drejtpërdrejtë në ndërprerjen e operacioneve dhe aktivitetit të tyre kriminal”.