Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi sot ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato se po mashtron me qëndrimet e tij në Bruksel lidhur me opozitën shqiptare.
Duke folur në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se Gonzato e ka raportuar hetimin në AKSHI si problem kulturor në Shqipëri.
“Çfarë do që të bëjmë ne, ambasadori i BE-së në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Ramës në Bruksel. Unë duke shprehur keqardhjen time më të thellë, iu bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamentet e vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse. Të shpallësh AKSHI-n problem kulturor në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që iu bën shqiptarëve dhe unë I them atij zotërie, se pengmarrja nuk është kulturë e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
“Është një fyerje e rëndë që iu bëhet shqiptarëve. Ky vend, edhe kur ska pasur shtet, ka pasur një ligj, për kontratat civile dhe kontratat e tjera që e kanë respektuar pa pengmarrje. AKSHI nuk është problem kulturor I shqiptarëve”.
“E konsideroj një fyerje të rëndë që I bëni shqiptarëve me deklaratën tuaj se pengmarrja qenka kulturë shqiptare. Ky zotëri përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD-së në proceset e integrimit. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Dua ti them: forca jonë politike ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin për statusin e kandidatit dhe përveç hapjes së negociatave çdo marrëveshje tjetër. Është forcë politike e cila ka shpallur si interesin më madhor integrimin në BE. Është forca politike që ka qenë shumë e sinqertë me partnerët dhe nuk ka pranuar kurrë të mashtrojë partnerët. Forca jonë politike ka qenë dhe mbetet e vendosur për një integrim të bazuar në meritë”.
Berisha tha gjithashtu se një tjetër qëndrim i ambasadorit Gonzato për të dëmtuar opozitën, është i paraqitjes së PD-së si një forcë MAGA, për ta bërë Shqipërinë të Madhe.
“Gënjeshtra e tij e madhe e dytë është se axhenda jonë është MAGA. Nëse do kishim vendosur të ishte MAGA nuk do e kishim fshehur, axhenda jonë është integrimi I Shqipërisë në BE. Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar se Donald Trump kur erdhi La Civita ka ardhur me një çek 9 miliard dollarë për të bllokuar integrimin në BE. Unë nuk kam dëshirë të të përgjigjem, por jam skandalizuar kur kam dëgjuar këto”.
