Qytetarët kanë nisur të grumbullohen sërish në sheshin “Skënderbej” për protestën kombëtare, në ditën e 14 radhazi.

Pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, organizatorët kanë njoftuar një tjetër protestë që do të zhvillohet si çdo ditë, edhe sot në orën 18:00. Ashtu si në ditët e tjera, edhe sot pritet të mbahen fjalim para godinës së kryeministrisë, e më pas priten marshime në rrugët e kryeqytetit. Sot pritet një pjesëmarrje më masive, pasi qytetarët që kanë marrë përsipër organizimin e protestës u kanë bërë thirrje shqiptarëve nga të gjitha zonat e vendit, por edhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, të solidarizohen dhe t’i bashkohen tubimit.

Prej dy javësh tashmë, protesta që nisi si kundërshtim ndaj resortit që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec, ka marrë përmasa më të mëdha, teksa qytetarët protestojnë për situatën ekonomike dhe sociale të vendit, duke shpalosur pakënaqësitë ndaj qeverisë por edhe ndaj të gjithë klasës politike të vendit.