Kontratat e qirave që nënshkruajnë institucionet shtetërore me privatët janë me risk të lartë klientelizmi, korrupsioni apo abuzimi në të gjitha format. Mjafton të themi që mjaft prona shtetërore janë lënë në degradim, në vend që të zhvilloheshin dhe viheshin n dispozicion të enteve që kanë nevojë.

‘Kur flasim për prona që merren dhe jepen me qira duket sikur gjithçka shkon në favor të privatit, pa rregulla, pa konkurim pa garë pa njoftim në një sistem elektronik pa njoftim në një çër e cila është çër e specializuar për ankande dhe qiradhënie’ u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie

Të dhënat e marra nga transfertat në thesar për periudhën 2019-2025, tregojnë se janë shpenzuar mbi 3,5 miliardë lekë ose thënë ndryshe, 35 milionë euro. Nëse shteti do t’i investonte në godina që do të ishin pronë e përhershme, do të mund të ndërtoheshin qindra zyra. Me këto para’, mund të ndërtoheshin disa shkolla. Pothuajse të gjitha institucionet kanë marrë ambiente me qira për zyra apo për ushtrim të aktivitetit të tyre duke nënshkruar kontrata me persona të tretë.

‘Ajo që vëmë re është që vetë institucionet e pushtetit vendor preferojnë që të bëjnë pagesa ekstra për privatin duke dhënë me qira ose duke dhënë edhe objekte me koncension duke paguar tarifa të rënda të koncensionarit dhe jo të ndërtojnë asete të vërteta që janë shkolla çerdhe kopshte apo institucione publike’ u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie

Një praktikë e audituar më herët nga KLSH, bënte fjalë për një kontratë qiraje të Ujësjellësit të Pogradecit, kur bashkia drejtohej nga Eduart Kapri. Në institucionin në varësi, ai kishte emëruar një të afërm i cili nënshkroi një kontratë qiraje me një privat për 13 vite. Ajo që ngriti dyshimet ishte fakti se shuma ishte parapaguar për të gjitha 13 vitet e kontratës. Në të njejtën formë është vepruar me 4 kontrata të tjera për të cilat nuk ka studim, nuk ka argumentim se përse nevojiteshin ambientet me qira. Po ashtu, rezulton se vlera e qirasë është të paktën 8 herë më e lartë se çmimet e tregut. Madje, edhe më shtrenjtë se blerja e pronës.

Raporti i KLSH: Nga përllogaritja e vlerës së qirasë së paguar për 4 kontratat rezulton se “UK” SHA Pogradec, ka kryer pagesa në vlerën rreth 70 mijë lekë për 4 ambiente sipërfaqe totale e të cilave është 176.1 m2. Po t’i referohemi çmimit mesatar të blerjes së banesave në tregun e lirë rezulton se vlera totale e çmimit është gati 8 herë me e lartë se sa çmimi mesatar. Krahas vlerës së lartë dhe të paargumentuar të qirasë, ka kryer likuidimin e plotë të saj, vlerë e cila po të investohej për blerje ambientesh do ishte disa herë me e ulët.

‘Po ti shohësh këta qiradhënës ndonjëherë na rezultojnë që nuk janë gjë tjetërveçse emra të lidhur me deputetët me kryebashkiakë emra të lidhur edhe me të fortët apo grupet kriminale të zonave pra jemi në një moment shumë të vështirë për pronën publike’ u shpreh Arianita Brahaj, eksperte ekonomie.