Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, bëri thirrje që të realizohet interpelanca me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala. Korreshi ironizoi për vonesën në pranimin kërkesës së tij për interpelancë. Ai shtoi se çështje nuk mund të neglizhohet, ndërsa solli në vëmendje situatën e spitalin të Lushnjës, e cila sipas tij, paraqitet mjaft shqetësuese.
“Me nder jush jam bërë edhe unë një kërkesë për interpelancë me shoqen ministre të punëve të shëndetit. Janë kategorizuar këtu deputetët, ne fshatarëve nuk na vjen radha? Kujtohet para ’90, kur mbaja radhën për vaj guri, kur më vinte mua radha nuk kishte më vajguri.
Edhe kjo pjesa e interpelancës po në të njëjtin nivel jeni. Në Lushnje nuk pret situata se kur do ta ketë terezinë ministrja. Ajo ka ca batuta të bukura e thotë në fund të vitit por deri atëherë nuk premton situata për spitalin e Lushnjes.“, u shpreh Korreshi.
Nga ana tjetër, Peleshi iu përgjigj se interpelancat e kërkuara nga Korreshi janë programuar në kalendarin që sapo u miratua dhe e ftoi atë t’i hidhte një sy.
