Hakil Osmani nga Metoalb dha detaje në lidhje me kushtet e motit në të cilat ndodhet vendi aktualisht, por edhe për ditët në vazhdim.

Sipas meteorologut, rreziku ka kaluar në zonat e veriut, por jo për qendrën dhe jugun e vendit. Sipas tij, nga e enjtja pritet një përmirësim i motit, por fundjava do të sjellë sërish reshje intesive.

“Në veri, zona e Shkodrës dhe Lezhës janë më të prekura nga përmbytjet. Por kemi lajme të mira sepse pritet që gjatë pasdites të ketë përmirësime dhe tërheqje të ujit nga zonat e prekura. Në mbrëmje do ketë reshje me intensitet në formën e rrebesheve, por gjithsesi nuk paraqitet rrezik.

Ndërkohë, zona që do jetë më e rrezikuar për reshje me intensitet të lartë dhe përmbytje do jenë zonat qëndrore dhe jugu. Zona e Durrësit, Fieri, Saranda, Vlora, do jenë më të prekurat dhe pritet të ketë shtrëngata shiu gjatë pasdites dhe në orët e mbrëmjes.

Lajmi i mirë është që përkohësisht, ditën e enjte në gjithë vendin do përmirësohet moti, por ama ditën e premte dhe gjatë fundjavës do të ketë sërish reshje me intensitet të lartë dhe rrebeshe të herëpashershme në të gjithë territorin e vendit.”– tha ai.