Vit pas viti, sasia dhe llojet e peshqve që kanë pasur habitat Gjirin e Vlorës po pakësohen gjithnjë e më shumë, deri në zhdukjen e disa specieve.

Këtë fenomen e konstatojnë peshkatarët, të cilët janë dëshmitarë të ndryshimeve që po ndodhin në det dhe që, sipas tyre, duhet të tërheqin vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Duke e parë këtë situatë si një fenomen që mund të jetë i pakthyeshëm, peshkatarët u bëjnë apel kolegëve të mendojnë për ndryshimin e profesionit, pasi peshkimi po bëhet gjithnjë e më pak i mjaftueshëm për të siguruar të ardhurat e nevojshme.

Ndërkohë, krahas rënies së sasisë së peshkut, peshkatarët kanë vënë re edhe shfaqjen e disa specieve që më parë nuk janë parë në brigjet e Jonit ose kanë qenë shumë të rralla, siç janë fokat dhe peshkaqenët. Këto ndryshime konsiderohen si tregues të ndryshimeve që po pëson ekosistemi detar.