Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Durrës, ditën e sotme. Raportohet se në pranga ka rënë Gentian Lika, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Romës me 6 vite burg për trafikim narkotikësh. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, po ndjek procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Kapet në Durrës dhe ndalohet me qëllim ekstradimi një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 6 vjet burgim për trafikim të narkotikëve. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të mirëorganizuara policore, bënë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe ndalimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasit Gentian Lika, 50 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, Itali, me vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, po ndjek procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.