Një 36-vjeçar i kërkuar nga Kosova është arrestuar nga ‘Operacionalja’ në Fushë Krujë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar. Ai akuzohet për shpërndarje e shitje narkotikësh dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar në mars 2023 me 2 vjet burgim dhe 550 euro gjobë.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga një shtetas i kërkuar nga Kosova për veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve dhe për kalim të paligjshëm të kufirit. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua faza e 87-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Fushë Krujë, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, shtetasi F. Sh., 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë.

Gjykata e Gjakovës/Kosovë, me vendimin e datës 14.03.2023, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vjet burgim dhe 550 euro gjobë, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 4 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Posedimi i paautorizuar, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, lëndëve psikotrope dhe substancave analoge” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.