Një 41-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Pikën Kufitare të Morinës, ndërkohë që ishte në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale. Policia Kufitare, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës dhe Interpol Tiranën, ndaloi shtetasin H. L., banues në Deçan, i shpallur në kërkim nga Interpol Vjena.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale si “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë” dhe “Vjedhje”. Arrestimi u bë pas kontrolleve të shtuara në hyrje të vendit, ku gjatë verifikimeve në vijën e dytë u konstatua urdhri i arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet austriake.

Në këtë moment, Interpol Tirana ka nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Austrisë.