Një 34-vjeçar është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Kosovë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, kreu procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.

“Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, lokalizuan, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin: A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”.