Nexhmedin Danaj, i shpallur në kërkim nga SPAK, është arrestuar në Dubai. Dnaja ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe trafik droge. Emri i Nexhmedin Danajt doli në kuadër të operacionit “Ura” vitin e kaluar, të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane kundër grupeve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Danaj dyshohet se ka pasur një rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se rridhnin nga trafiku i kokainës. Sipas të dhënave, paratë dyshohet se janë lëvizur edhe drejt Dubait përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kuadër të këtij operacioni, “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesi “Dubai Inn”, u vendosën nën sekuestro. SPAK njoftoi se hetimet, të zhvilluara gjatë viteve 2020–2025, dokumentuan 40 episode të trafikut të narkotikëve.
Në total, operacioni çoi në 52 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali, ndërsa u sekuestruan pasuri, automjete dhe kompani të lidhura me aktivitetin kriminal.
